Çdo impiant i ri kërkon fillimisht një test përpara se të hapë dyert përfundimisht për të pritur një ndeshje zyrtare. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me “Kukës Arenën”, i cili nuk mund të presë ndeshjen zyrtare me bardheblutë në fillim të muajit prill pa zhvilluar më parë një ndeshje testuese.

Koha e pakët në dispozicion që ka mbetur, e bën një mision gati të pamundur që të zhvillohet testi dhe më pas të merret zyrtarizimi për të luajtur ndeshjen me Tiranën, duke e vënë kështu në rrezik edhe zhvillimin e këtij takimi në stadiumin e ri.

Testi nuk vlen vetëm për të parë gjendjen e fushës, por edhe funksionimin e stadiumit në tërësi, për më tepër që pritet që në këtë ndeshje të ketë edhe një prezencë të konsiderueshme tifozësh. Për këtë arsye, duhen parë edhe kushtet e sigurisë në rast rreziku.

KONFIRMIMI – Nga burime të besueshme të gazetës në FSHF, pohojnë se gjasat që ndeshja me Tiranën të luhet në Kukës janë të pakta. Stadiumi nuk është gati që të presë këtë përballje dhe gjasat më të mëdha janë që inaugurimi i impiantit të ri të shtyhet për një datë tjetër.

Në fakt, gjatë inspektimit pak ditë më parë të kreut të FSHF-së, Armand Duka, së bashku me kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, u nënkuptua se stadiumi do të ishte gati për Tiranën. Por, për aq kohë sa nuk është bërë kolaudimi, vështirë se do të hapë dyert për tifozët.

SKENARËT – Burime të “Panorama Sport” pranë kampit verilindor pohojnë se janë duke menduar edhe gjetjen e një zgjidhjeje për këtë situatë, edhe pse koha nuk është në favor të tyre dhe shanset për të dalë në një zgjidhje duken të pakta.

Po shihet nëse do ta zhvillojnë dot një test miqësor që të marrin dakordësinë. Një ide është kryerja e një testi me ekipin e 21-vjeçarëve. Por, nga ana tjetër, janë duke menduar edhe për gjetjen e një stadiumi ku të luajnë në rast se opsioni për të pritur Tiranën bie përfundimisht.

Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, edhe pse të gjithë ishin karikuar në Kukës për të luajtur në shtëpi dhe për më tepër përballë kryesuesve. Me shume te ngjare, sfida ndaj Tiranes mund te luhet ne “Loro Boriçi”.