Tomas Tuhel veshi “ko stumin” e shpëtimtarit kur u emërua te Bajerni, pas shkarkimit surprizues të Julian Nagelsmanit. Edhe pse ai gjeti mbështetjen e bordit dhe simpatinë e Uli Hënesit, i cili konsiderohet si një mit në Mynih, duket se shumëçka ka ndryshuar, thuajse me magji në një kohë kaq të shkurtër.
Presidenti i Nderit, Hënes, gjatë ditëve të fundit e akuzoi drejtpërdrejt trajnerin për linjën e gabuar që prononcohet në media, e ku diskutimet e brendshme dhe problematikat rreth ekipit i pohonte në media. Si të papjekur e ka përkufizuar 71- vjeçari gjerman Tuhelin për situatat e krijuara nga ai. Prestigjiozja gjermane “Bild” po qarkullon informacione nëpërmjet rrugëve konfidenciale brenda klubit më të titulluar në Gjermani, se lojtarët janë të pakënaqur me trajtimin që ish-tekniku i Dortmundit po u bën.
KRISJA ME LOJTARËT
Në raportimin e “Bild” citohet se grupi i futbollistëve, pa përcaktuar emra konkretë, nuk i pëlqen taktikat e Tuhelit në disa linja. Pikësëpari ai i informon se cilët lojtarë do të jenë në fushë vetëm pak orë para ndeshjes, krejt ndryshe nga paraardhësi Julian Nagelsman apo me pjesën tjetër të ekipeve elitare. Komponenti i radhës lidhet me fjalimet “e vakëta” në dhomat e zhveshjes. Sipas informacionit në fjalë, trajneri i bavarezëve nuk jep indikacionet e duhura dhe vetëdije te grupi, por ata e kanë zgjidhur vetë deri në këtë pikë.
Tjetër pengesë mes palëve në fjalë koincidon edhe me komunikimet individuale. Ndonëse është cekur në media edhe më parë se Tuhel nuk pret asnjë lojtar në zyrë të kuptojë problematikat e ndryshme që ata mbartin, tashmë situata ka marrë më tepër zë, aq sa është bërë alarmante, ku nuk ka një konkluzion të qartë se si do të vijojnë marrëdhëniet. Vendimi final rreth shkarkimit i përket bordit, por vështirë të hamendësohet diçka e tillë në javët e para të sezonit, e cila mund të ndikojë negativisht mbi vazhdimësinë.
Vlen të theksohet se zbarkimi i Herri Kejnit dhe Rafel Guerreiros kishte si arkitekt 50-vjeçarin gjerman. Shpenzimi mbi 150 milionë euro në tregun e transferimeve nuk i ka lënë asnjë opsion tjetër Tuhelit në letër, tripleta ose largimi i parakohshëm.