Skuadra shkodrane ka zhgënjyer tifozët e saj, drejtuesit por edhe të gjithë dashamirësit. Kur pritej që ajo të luftonte për të fituar me dy gola diferencë që do ishin të mjaftueshëm për kalimin e saj në gjysmëfinale, ajo ka bërë një paraqitje shumë dëshpëruese. Jo vetëm që nuk ka shënuar, por ka pësuar gol dhe ka treguar sërish dobësi të mëdha në lojën e saj në të gjitha repartet. Me formacionin e saj më të mirë në fushën e lojës, skuadra e Vatës që në fillim të ndeshjes tregoi se do ta kishte të vështirë të fitonte. Tek ajo vërehen sërish dobësi të theksuar në lojë, madje Lena në minutën e 10-të i ka “falur” teksa i vetëm përballë Vujadinoviç e ka dërguar topin jashtë. Kalimi i minutave nuk sjell ndonjë shpresë të madhe për të ndryshuar ndonjë gjë në lojë. Mungojnë aksionet e rrjedhshme ndërkohë që këtë takim nuk spikat as individualiteti i Hajdarit i cili përpiqet shumë por nuk ia del. Pjesa e parë mbyllet 0-0.

Në të dytën pritet një Vllazni më agresive dhe madje Vata hedh në fushë edhe një sulmues të tretë si Erkoçeviç. Por në vend që të shënojë skuadra shkodrane, e bën ajo vlonjate. Shtubina në ’61 gjuan në drejtim të portës dhe topi devijohet me kokë nga Pejiç duke përfunduar në rrjetë. Ka edhe 30 minuta lojë deri në fund por nuk ndodh asgjë. Futbollistët e Vllaznisë lëshojnë në lojë. Duket qartë se ata nuk kanë më besim në forcat e tyre. Kjo duket qartë edhe në mënyrën e lojës së saj. Smajli e ndonjë tjetër, luajnë pa dëshirë. E kuptojnë që e kanë shumë të vështirë dhe heqin dorë nga kërkimi i golit. Në Shkodër e kanë pranuar të gjithë. Kjo Vllazni nuk meriton më shumë sesa kaq. Zhgënjim në kampionat, pasohet edhe me këtë të fundit në kupë dhe tashmë shpresat për një fund-sezoni të mirë kanë marrë fund. Ndokush mendon se eliminimi i sotëm mund të sjellë pasoja për skuadrën edhe në pjesën e mbetur të kampionatit. Prandaj është detyrë e stafit dhe futbollistëve të tregojnë se Vllaznia ka vlera, pavarësisht mosarritjes së objektivave të saj.

www.shkodrasport.com

Vllaznia- Flamurtari 0-1

Vllaznia: Vujadinoviç. Smajli, Kraja, Vuk, Popoviç (Erkoçeviç 55’), Belisha, Moreno (Bardulla 34’), Brnoviç (Karakaçi 79’), Gocaj, Hajdari, Jabllan. Tr: R. Vata

Flamurtari: Koliqi, Sakaj, Brahja, Veliu, Abraham (Beqiri 89’), Muça, Kuqi, Shtubina (Telushi 72’), Lena, Progni, Pejiç (Liçaj 86’). Tr: Sh. Muça

Shënues: Pejiç 61’

Gjyqtarë: E. Jorgji, R. Preça, E. Ganxhi (Elbasan)

Kartona të verdhë: Moreno, Kraja, Shtubina

 
Ndriçim Shtubina dhe Shkelqim Muça pas ndeshjes se sotme