Ekipi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj nuk ka hasur në ndonjë rezistencë të madhe në ndeshjen e dytë të turit çerekfinal të play-off-it të kampionatit kombëtar. Pasi e kishin mundur tre ditë më parë në Shkodër me rezultatin 3-1 Skënderbeun, në ndeshjen e dytë, të luajtur dje në Korçë shkodranët kanë fituar pastër në shifrat 3-0. Ndeshja nuk ka patur shumë histori teksa djemtë e trajnerit Kalaja kanë bërë detyrën duke fituar dhe duke kaluar në turin tjetër. Me rezultatin 2-0 pas dy ndeshjeve të para, ka qenë e panevojshme zhvillimi i ndeshjes së tretë në Shkodër.

Në këtë mënyrë, tashmë Vllaznia ka siguruar të drejtën për të luajtur në gjysmëfinale të play-off-it ku do ndeshet me ekipin e Studentit. Sigurisht që tani është histori tjetër sepse përballë do jetë një kundërshtar shumë më i fortë dhe njëkohësisht pretendent për titullin kampion. Megjithatë Vllaznia do të tentojë deri në fund për të bërë surprizën e madhe dhe në fakt ky ekip shpeshherë ka treguar se mund të bëjë surpriza të këndshme.
www.shkodrasport.com