Grupi A në kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj ka luajtur dje ndeshjet e javës së parafundit, të cilat dhanë verdikte të rëndësishme. Vllaznia doli triumfatore nga përballja direkte për zonën “play off” duke mundur në fushën e saj Skënderbeun me rezultatin 3-1. Takimi i zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ishte tepër i luftuar nga fillimi e deri në fund, teksa të gjitha setet u ndanë nga një diferencë e ngushtë pikësh.

Kuqeblutë të udhëhequr nga kapiteni Qafarena, triumfuan pas pikëve shtesë në setin e parë në shifrat 27-25. Korçarët u kundërpërgjigjën në të dytin, duke fituar 25-20, për të vendosur baraspeshë në sete. Megjithatë, Vllaznia e rimori epërsinë, teksa fitoi setin e tretë 25-23 pas një beteje shumë të fortë në parket, për ta vulosur triumfin në setin e katërt, të cilin e fitoi 25-22.

Kështu skuadra e Artan Kalajës feston në fund kualifikimin si vend i dytë në grup, teksa në gjysmëfinale do të ketë përballë Partizanin. Në ndeshjen tjetër Erzeni bëri formalitetin në transfertë kundër Elbasanit, duke e fituar takimin me rezultatin e pastër 3-0. Falë këtij suksesi shijakasit e siguruan edhe matematikisht kualifikimin si vend i parë në grup, teksa në gjysmëfinale do të sfidojnë Tiranën.

Për sa i përket takimit të djeshëm në Elbasan, duke parë nivelin e kundërshtarit, trajneri Arben Sako u dha shumë hapësirë edhe lojtarëve të stolit. Dominimi i Erzenit ishte i dukshëm që nga fillimi e deri në fund. Miqtë e fituan setin e parë 25-14 dhe të dytin 25-10. Në setin e tretë Elbasani u paraqit disi më mirë, por ishte sërish Erzeni që triumfoi, këtë herë 25-21.