Dëshira e madhe për të parë në veprim përfaqësuesen shqiptare në ndeshjen ndaj Anglisë u ka kushtuar shtrenjtë disa tifozëve shqiptarë në Itali, të cilët dëshironin ta shihnin si në “kohët e vjetra” këtë sfidë të rrallë për kuqezinjtë.

Në shtetin fqinjë vazhdojnë të mos lejohen grumbullimet në pjesnë më të madhe të territorit për shkak të rregullave anti-COVID, ndaj është e pamundur që të ndiqet një ndeshje futbolli mes miqsh në ambiente të mbyllura.

Tifozët shqiptarë kishin vendosur të mblidheshin në një thertore, për të parë të gjithë bashkë këtë ndeshje gjatë pasdites së të dielës. Ndaj 13 persona janë mbledhur në këtë ambient në Rexhio, duke u rreshtuar para televizorit të gatshëm të bënin tifo për Shqipërinë.

Por zhgënjimit për rezultatin e ndeshjes, i është shtuar edhe një gjobë që të gjithë janë detyruar të paguajnë. Policia kishte mësuar për këtë grumbullim të paligjshëm në ambientet e thertores dhe pasi i ka gjetur ata gjatë ndeshjes brenda, i ka gjobitur të gjithë shtetasit shqiptarë për thyerje të masave shëndetësore anti-COVID. /vipsport/