Ai vendosi të rikthehet në Itali, pavarësisht transferimit prestigjioz te Barcelona dhe shansit për t’u përfshirë në një klub të rëndësishëm. Rey Manaj, në vend të kësaj zgjodhi Spezia për të luajtur sërish në Itali, ku mbërriti si fëmijë me prindërit e tij. Ai ka folur për “Gazzetta dello Sport”:

“Unë arrita me prindërit në shtëpinë e një halle, që jetonte në Castelchiodato, në provincën e Romës. Ishte viti 2000, lufta e Kosovës sapo kishte përfunduar. Një mëngjes, në orën 5 të mëngjesit u dëgjuan trokitje në derë. Ishte kontroll i policisë. Nuk kishim dokumente dhe na kthyen në Shqipëri. Dy vite më vonë u kthyem në Itali me dokumentet në rregull.

Babai kishte shkuar para nesh për të gjetur punë. Udhëtova me një gomone bashkë me mamin, motrën time të vogël dhe tezen. Fatmirësisht isha i vogël dhe nuk mbaj mend asgjë nga ai udhëtim. Por, e di që u larguam nga Shqipëria pa sigurinë e mbërritjes këtu. Pas një periudhe në Castelchiodato, ne u transferuam në Codogno. Dhe këtu filloi historia ime në futboll”.

Debutimi me Interin në moshën 18-vjeçare, më pas një periudhë e vështirë që sulmuesi e justifikon në këtë mënyrë: “Mancini ka qenë pikë referimi për mua. Më ka bërë gjithmonë të stërvitem për ekipin e parë. Ndoshta kur erdha tek Interi nuk isha ende gati fizikisht dhe mendërisht. Unë kam ende shumë miq atje, flas shpesh me Perisic dhe Brozovic”.

Në verën e vitit 2021, ftesa e Barcelonës dhe realizimi i një ëndrre, qoftë edhe në një moment hutimi të përgjithshëm në nivel klubi: “Ndihesha sikur luaja FIFA PlayStation dhe zgjidhja modalitetin e lojtarit, por gjithçka ishte e vërtetë. Për disa muaj pata nderin të vrapoja dhe të stërvitesha me Messin. Në atë dhomë zhveshjeje nuk fola shumë, por dëgjova gjithçka. Ato ditë doja një klub tjetër nga La Liga, por Barcelona vendosi të më mbante.

Më pas isha unë që kërkova të largohesha. Ka pasur shumë konfuzion në Barcelonë pas lamtumirës së Messit. Ata do ta përforconin sulmin, por herët a vonë edhe unë do ta kisha pasur mundësinë të tregoja vlerat”.

Spezia i dha atij mundësinë për të rifilluar dhe treguar veten në një kampionat konkurrues: “Një klub ambicioz që po konsolidohet, një ekip i ri, një trajner që po ndërton rrugën e tij pasi është kampion. E kuptova që padyshim mund të bëja emër te Spezia”./Telesport/