Milani shfrytëzon kohën në maksimum dhe në minutat e fundit të merkatos siguron Zhunior Mesiasin. Do të jetë 30-vjeçari alternativa për rolin e fantazistit, një detyrë që do ta ndajë me Brahim Diazin.

Braziliani në orët e fundit të merkatos parakaloi Romë Fevrën të cilin Bresti vendosi të mos e shiste duke mbyllur çdo lloj diskutimi financiar me kuqezinjtë.

Sa i përket Mesiasit, ai zbarkoi në Milano në mëngjesin e djeshëm dhe pas vizitave mjekësore nënshkroi kontratën që do ta lidhe me “Djallin” për sezonin që ka nisur. Akordi mes klubeve është i qartë: huazim 1-vjeçar për 2.6 milionë euro dhe e drejtë blerje për 5.4.

Nëse Milani fiton ndonjë trofe apo mbërrin përsëri në Champions, atëherë klubi kalabrez do të arkëtojë edhe 1 milionë euro të tjera në formë bonusi. Sa i përket Mesiasit, ai do t’i bashkohet sot skuadrës në stërvitje, teksa mësohet se ka zgjedhur numrin 30, që përkon edhe me vitet e moshës së tij.

KARRIERA – Futbolli ishte kohëkalim falas kur u bë pjesë e ekipit të lagjes që përbëhej nga emigrantë peruanë. Përvoja me amatorët e Kasales dhe Kierit ishin një lloj antipaste, teksa në vitin 2018 nisi ngjitja e tij kur u bë pjesë e Gocanos në Serinë D.

10 gola në 58 ndeshje i mundësuan kalimin te Krotone ku në tri sezone ka koleksionuar 73 prezenca të zbukuruara nga 15 gola. Deri 48 orë më parë mendonte për Serinë B, ndërsa që nga sot po përjeton ëndrrën Milan dhe një mundësi debutimi në Champions. Siç thamë, ai do të jetë dubluesi i Brahim Diazit, por mund të luajë edhe në krahun e djathtë në vend të Selemekersit, një pozicion që e ka mbuluar edhe te Krotone.