Vllaznia u befasua dhe njëkohësisht edhe u surpriza ditën e djeshme nga Flamurtari në Vlorë, në atë humbje që shkodranët pësuan me rezultatin 2-1. Realisht, në ndeshjen e kthimit në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”, nuk tolerohen hapa fals dhe kualifikimi nuk duhet diskutuar.

Në këtë mendim është edhe ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i Laçit, Valdano Nimani. Ish-sulmuesi, i ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, ka komentuar përballjen e djeshme, Flamurtari-Vllaznia, 2-1.

Nimani tha se tek ekipi shkodran po shikohen disa gabime dhe probleme amatoreske në tërësi, si të stafit, ashtu edhe të futbollistëve. Ai theksoi se tek Vllaznia, askush nuk po bën diferencën dhe çdo gjë lë për të dëshiruar deri më tani. Po ashtu, ndër të tjera, ish-sulmuesi shkodran u shpreh se ekipi është më i dobët se sa ekipi i vjetshëm, ndërsa theksoi se Vllaznia çalon shumë edhe nga ana e përgatitjes fizike.

“Për Vllazninë, nuk e di nga t’ia filloj. Nuk mund të hyj në taktikën e profesor Mirel Josës, por qysh në javën e parë, kam parë që ekipi është më dobët se vjet realisht. Në përgatitje fizike janë më dobët se sa vjet.

Gjithashtu, shoh një frymë jo të mirë, jo sportive, jo me dëshirë për të hyrë në ndeshje. Nuk e di çfarë problemesh kanë, ama shpresoj që të rikthehen sa më shpejt. Nuk është problem pse humbëm ndaj Flamurtarit. Unë besoj se nuk do e diskutojmë ndeshjen e kthimit, ama është problemi tek kampionati.

Javë pas jave, nuk po ka rritje as në cilësi, as në gola, as në lojë, as në prodhim loje. Ndoshta e kam gabim te pjesa e përgatitjes fizike, por Vllaznia po lë shumë për të dëshiruar”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-sulmuesi i Vllaznisë dhe i Laçit, Valdano Nimani.
Maringlen ZHIVANI