Akademia e Arbitrimit ka startuar me edicionin e radhës, teksa ka zhvilluar takimin e parë me kandidatët që për t’u bërë arbitra të rinj. Ky proces udhëhiqet nga Sektorit i Arbitrimit në FSHF dhe shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptar të Futbollit (BASHF) që bashkëpunojnë me kolegjiumet e të gjitha qyteteve për të afruar sa më shumë kandidatë që duan arbitra të rinj, djem dhe vajza.

Në këtë takim të parë pjesëmarrësit u prezantuan me rregullat e arbitrimit dhe konceptet bazë të lojës së futbollit, teksa drejtori i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, u shpjegoi edhe fazat e kursit që duhet ndjekur për të arritur deri në certifikimin si arbitër.

Sipas Jarecit, këta pjesëmarrës do të jenë arbitrat e ardhshëm, ndërsa ata do të nisin menjëherë punën në terren pranë kolegjiumeve përkatëse për të bëra praktikë dhe për të ndjekur punën e arbitrit në ndeshjet e moshave.

“Sot filloi zyrtarisht Akademia e Arbitrimit 4, numri i pjesëmarrësve është i kënaqshëm. Të gjithë ata të cilët kishin aplikuar në kontaktet tona ishin të pranishëm sot në këtë takim të parë. Kishim rreth 40 pjesëmarrës nga të cilët 5 prej tyre janë vajza. Në këtë takim ne u prezantuam atyre objektivat e Akademisë së Arbitrimit 4, ku të gjithë pjesëmarrësit u njohën me rregullat e arbitrimit, me atë çfarë i pret nga sot e tutje në fushën e bukur dhe të vështirë të arbitrimit.

Kam përshtypjen se këto do të jenë arbitrat dhe arbitret e ardhshme ku në një periudhë të paktën 3-4 vjeçare do të aderojnë në kampionatin e Kategorisë së Dytë dhe pastaj me kalimin e kohës këto do të jenë edhe ato që do të marrin stemën e FIFA-s si arbitra dhe asistentë”, – thotë Sokol Jareci për Fshf.org, teksa gjen rastin t’u bëjë thirrje të gjithë të interesuarve nga qytete të tjera që të aplikojnë pasi Akademia e Arbitrimit i ka dyert e hapura për të gjithë ata që duan të bëhen arbitra.

Gjithashtu, Jareci shpjegon edhe procesin ku do të përfshihen kandidatët për t’u bërë arbitra në vazhdimësi. “Shumë nga pjesëmarrësit në këtë takim ishin nga Tirana, një problematikë që vazhdon të jetë prezentë, nuk kemi numrin e duhur të aplikantëve nga rrethet, megjithatë në vazhdojmë të jemi të hapur për të pritur të gjitha aplikimet e reja që vazhdojnë të vijnë. Periudha tjetër do të jetë pas 3 muajsh ku të gjithë pjesëmarrësit do të vazhdojnë të jenë pjesë e fazës së dytë të Akademisë, që konsiderohet pjesa e konsolidimit.

Gjatë kësaj periudhe të gjithë aplikantët do të jenë pjesëmarrës nëpër kolegjiumet e qyteteve të tyre ku ata do të fillojnë të trajnohen në ndeshjet e moshave, U-13 e U-15 gjatë fundjavave. Do të jenë pjesë e përgatitjeve fizike aty ku përgatiten të gjithë arbitrat e kolegjiumeve dhe do të bëjnë jetën kolegjiale në kolegjiumet e arbitrave”, – tha ndër të tjera drejtori i Sektorit të Arbitrimit në FSHF.

Të gjithë arbitrat e dalë nga kjo Akademi do të kenë mundësi ta nisin eksperiencën e tyre në këtë profesion nga ligat amatore apo nga kampionatet e moshave, për të ngjitur më pas gradualisht drejt futbollit elitar.

Ata do të pajisen me certifikatën e arbitrimit që përkon me kategorinë e tretë personale për individin dhe do të jenë fillimisht pjesë e ligave amatore, gjithashtu në ndeshjet e U-17 dhe U-19 të Kategorisë së Parë dhe në një periudhë shumë të shkurtër do të jenë pjesë edhe e Kategorisë Superiore të këtyre moshave.