Këtë fundjavë, pikërisht të premten, do të startojë në Shkodër i vetmi aktivitet ndërkombëtar i boksit që zhvillohet në Shqipëri. Bëhet fjalë për Memorialin që Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Sporklub Vllaznia dhe Federatën Shqiptare të Boksit, zhvillojnë në nderim të ish- boksierëve shkodranë që nuk jetojnë më. Edicioni i sivjetëm është i 14-ti rradhazi, çka tregon se ky aktivitet ka fituar emrin e tij tashmë dhe jo më kot është pjesë e kalendarit të veprimtarive të Federatës Europiane. Në edicionin e sivjetëm në fakt ka një numër më të reduktuar boksierësh pjesmarrës dhe të pranishëm do të jenë vetëm 6 ekipe kombëtare të Rajonit dhe pikërisht: Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Vendi ynë do të përfaqësohet në këtë Memorial me 6 sportistë dhe pikërisht me: Vuksan Guri pesha 52 kg, Krenar Zeneli pesha 56 kg, Ardit Murja pesha 64 kg Arjon Kajoshi 75 kg, Indrit Laçi në peshën 91 kg dhe Emiliano Xhediku pesha +91 kg. Trajneri i kombëtares Zef Gjoni në një prononcim për “SHKODRA SPORT” shprehet: “Pjesmarrja nuk është shumë e madhe sivjet sepse kaq janë fondet dhe madje në një moment u rrezikua moszhvillimi por u desh ndërhyrja e kryetares së Bashkisë Shkodër zj.Voltana Ademi që mori përsipër gjithçka dhe kjo u zgjidh. Kombëtaret e pesë vendeve të tjera vijnë me përbërje të plota dhe besoj se kanë për t’u zhvilluar ndeshje interesante. Shqipëria do përfaqësohet me 6 sportistë dhe 4 prej tyre që janë të grumbulluar prej muajit janar dhe që ishin pjesmarrës edhe në Kampionatin Europian U-22, pikërisht Guri, Zeneli, Kajoshi e Laçi, gëzojnë një formë shumë të mirë sportive. Prandaj kemi si objektiv që me këta katër sportistë të marrim medalje në këtë Memorial të 14-të që do të zhvillohet në Shkodër”.
© shkodrasport.com