Edhe pse pa zhurmë dhe larg fokusit e mediave, drejtuesit e Vllaznisë vijojnë punën në merkato për të kërkuar lojtarët e duhur që skuadra të jetë më e plotë në pjesën e dytë të sezonit. Pas mesfushorit me tipare mbrojtëse, Mikael Panos, drejtuesit po kërkojnë edhe lojtarë të tjerë, kryesisht për repartin e mesfushës.

“Panorama Sport” nga burime pranë klubit ka mësuar se interesimi i drejtuesve është rikthimi te Vllaznia i mesfushorit shkodran, Erion Vucaj.

Pas disa sezonesh të suksesshme në Superligën e Kosovës, 31-vjeçari mund të rikthehet sërish te Vllaznia. Ai ka qenë pjesë e këtij ekipi tri sezone më parë.

Nga ajo që ka mësuar gazeta nga burime mes palëve, presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi ka pasur kontakte direkte dhe indirekte me mesfushorin shkodran.

Vucaj ka dalë nga akademia Vllaznia dhe një pjesë të madhe të karrierës së tij e ka zhvilluar me ekipin e Laçit, por ai ka qenë pjesë edhe e skuadrave të tjera elitare si Tirana e Flamurtari. Pas vitit 2018 ai iu bashkua në Kosovë ekipit të Dritës së Gjilanit, duke qenë një prej lojtarëve që ka spikatur me lojën e tij.

Sa i përket merkatos, mësohet se nën urdhrat e trajnerit Brdariç është vënë një mesfushor nga Ukraina, i cili vjen për provë. Duke qenë se ai do të testohet si fillim, klubi nuk ka preferuar që të bëjë të ditur emrin e mesfushorit ukrainas.

Ai do të shihet për pak ditë nga ana e stafit teknik, i cili do të vendosë për fatin e tij. Ukrainasi ka udhëtuar së bashku me ekipin për fazë në Ulqin.