Edhe pse jemi në ditët e para të vitit të ri 2023, puna nuk ka të ndalur në ekipet kombëtare të moshave, por vijon në mënyrë intensive. Pas seleksionimeve në Itali e në Gjermani me lojtarë shqiptarë të grupmoshave 2005-2009, trajnerët e ekipeve kombëtare U-16 dhe U-17 do të zhvillojnë dy seleksionime të tjera për dy të shtuna me radhë.

Lojtarë shqiptarë të vitlindjeve 2007 dhe 2008, të cilët janë pjesë e kampionatit shqiptar, por jo vetëm, edhe kampionateve në Gjermani e Itali, do të jenë pjesë e këtyre dy seleksionimeve të planifikuara nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF më 7 dhe 14 janar në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Qëllimi i këtyre seleksionimeve është për të parë nga afër futbollistët e këtyre grupmoshave, mënyrën se si luajnë e paraqiten në fushë e për të përzgjedhur më pas lojtarët që do të përbëjnë grupin kuqezi që do të përfaqësojnë ekipin kombëtar U-17 në eliminatoret e ardhshme të Kampionatit Europian 2024. Veç seancave stërvitore, kuqezinjtë do të kenë mundësi të zhvillojnë edhe ndeshje testuese të ndarë në grupe, për të treguar kështu edhe cilësitë e tyre në fushë.

Në seleksionimin e parë që do të zhvillohet të shtunën në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz më 7 janar do të paraqiten rreth 40 futbollistë që aktivizohen në kampionatin vendas, jo vetëm ata të cilët kanë qenë edhe më parë pjesë e ekipeve kuqezi, por edhe rishtarë.

Sakaq, në seleksionimin e dytë do të marrin pjesë lojtarë shqiptarë të cilët aktivizohen në kampionatin vendas, por edhe ata të cilët luajnë në kampionatet gjermane dhe italiane, e të cilët kanë spikatur në seleksionimet e bëra më parë në Gjermani e Itali nga trajnerët e ekipeve kombëtare. Në muajin dhjetor, Drejtoria Teknike e Federatës Shqiptare të Futbollit, në bashkëpunim me skautët në Gjermani e në Itali zhvilluan seleksionime me rreth 300 lojtarë shqiptarë të datëlindjeve 2005-2009.