Largimi gjithnjë e më i sigurt i Kristian Panuçit nga drejtimi i përfaqësueses shqiptare si zakonisht hap mundësi punësimi për trajnerët italianë në vendin tonë, pasi duket se janë kthyer deri tani në të preferuarit e kreut të FSHF-së, Armand Duka.

Pas suksesit me De Biazin ky i fundit ka pasur gjithmonë prirje të afrojë vetëm “mjeshtra taktike” ndaj zgjodhi Panuçin. Si rrjedhojë, meqë pozitat e trajnerit aktual po lëkunden, në Itali shohin një tjetër kandidat të mundshëm nga ky vend.

Si rrjedhojë, pas një interviste që ka dhënë sot Alberto Malezani, një emër i njohur në futbollin italian, mediat atje e shohin si një kandidat potencial për Shqipërinë, pasi trajneri deklaroi se është përsëri gati të marrë drejtimin e një ekipi.

Problemi është se Malezani ka katër vite që nuk drejton e në rrethana të tilla, në Itali e shohin thuajse të pamundur që të gjejë hapësira në stolin e ndonjë klubi.

Kësisoj, “Calciomercato.it” mendon se mënyra e duhur për të rifilluar është nga një kombëtare. Vetë Malezani ka pranuar se mundësia më e mirë është që t’i vijë një ftesë nga një kombëtare e huaj dhe për momentin, tre emrat në telashe janë Shqipëria, Sllovenia dhe Greqia, Me këtë të fundit ai ka qenë në bisedime edhe dy vite më parë por nuk u konkretizua gjë. /vipsport/