Kjo ditë e premte do jetë plot me aktivitet të futbollit për tifozët e Vllaznisë. Në një moment ku Botërori i futbollit është pushim vëmendja rikthehet tek skuadrat kuqeblu. Në orën 13:00 do jetë Vllaznia e meshkujve që do zbresë në fushë. Ekipi i drejtuar nga Josa do udhëtojë drejt Kamzës, për tu përballur me Kastriotin.

Ndeshje e vlefshme për javën e 14-të të Superiores dhe ku me patjetër pritet reagimi i kuqebluve. Ku humbja e fundit kundër Egnatias ka lënë një shije goxha të hidhur. Por vëmendja nga ky duel i Superiores do jetë tek një duel i Champions League në orën 18:45 për shkodranët. Vllaznia e femrave do zbresë në “Loro Boriçi” për tu përballur me Chelsean, një prej ekipeve më të forta në Europë.

Një takim që mbyll ndeshjet e grupeve në shtëpi për ekipin e drejtuar nga Nikolin Leka. Vajzat kuqeblu kanë bërë historinë në këtë edicion duke u kualifikuar në 16 më të mirat e Europës.

E sonte qoftë edhe një gol i shënuar patjetër që do ishte kënaqësi për cilën do nga vajzat, por edhe për tifozët shkodranë. Për të cilët dyert e stadiumit në Shkodër do jenë të hapura.

Pra një ditë e mbushur plot me emocione kuqeblu. Ku nga ndeshja e Superiores në Champions League, tifozët shkodranë shpresojnë të kënaqen nga skuadrat e tyre. Që përfaqësojnë Vllazninë dhe mbarë qytetin.
Endri ÇINARI