Vllaznia do jetë në Rrogozhinë në javën e 4-ët të Superiores për tu ndeshur me Egnatian. Një ndeshje që i gjen të dy skuadrat në humor pas fitoreve në ndeshjet e javës së shkuar. Ku shkodranët mposhtën Tiranën në shifrat 1-2 dhe rrogozhinasit mundën Laçin me rezultatin 0-1.

Një ndeshje që me patjetër premton për një duel të fortë dhe duke parë ambiciet e të dy ekipeve, për një duel që duhet shijuar. Por sfida në vetvete mund të ketë edhe një duel miqsh të vjetër. Bëhet fjalë këtu për një përballje Camaj-Vulaj. Të dy futbollistët shqiptarë nga Mali i Zi do jenë kundërshtarë mes tyre.

Nëse deri para 2 sezonesh të dy mahnisnin me fanellën e Deçiç në Mal të Zi, ku Vulaj si fantazist dhe Camaj si golashënues ishin futbollistët kryesorë të skuadrës nga Tuzi.

Për herë të parë në këtë sezon ata janë pjesë e futbollit në Superligë dhe tashmë do jenë kundër njëri-tjetrit. Nëse Camaj i ka nisur dy nga tre ndeshjet e para të Superligës si titullar. Ku madje edhe ka shënuar në duelin kundër Partizanit.

E njëjta nuk mund të thuhet për Vulajn, që ende po përshtatet me Vllazninë dhe futbollin shqiptar. Megjithatë për 23-vjeçarin pritet të ketë minuta ditën e nesërme në duelin kundër Egnatias. Kjo për të parë ndoshta edhe një duel miqsh të vjetër në një ndeshje të Superligës sonë.
Endri ÇINARI