Fitorja ndaj Tiranës në javën e tretë të kampionatit është lënë pas dhe tashmë Vllaznia është e fokusuar te përballja e rradhës, ajo me Egnatian në transfertë. Në kampin shkodran janë optimistë se do të vijë fitorja e rradhës në kampionat, edhe pse e kanë të qartë se nuk do ta kenë aspak të lehtë.

Në sfidën me bardheblutë, futbollistët kryen disa gabime, të cilat për pak mund t’i kushtonin edhe fitoren, teksa tashmë stafi teknik synon që ato të mos përsëriten më përballë rrogozhinasve.

Për këtë arsye, në klub kanë kryer edhe analizën e zakonshme pas një ndeshjeje, ku edhe kanë nxjerrë defektet në këtë takim. Kështu, në Shkodër shpresojnë që të shohin një skuadër më të bukur në fushën e lojës ndaj Egnatias. Gjithsesi, nga ana tjetër për momentin nuk priten lëvizje të titullarëve edhe për shkak të dëmtimeve.

Edhe pse, Vllaznia u përpoq të ishte e kujdesshme në mbrojtje dhe të mos pësonte gol ndaj Tiranës, në fund rrezikuan shumë të ndëshkoheshin. Pikërisht, këtë gjë, Josa nuk e “përtyp” dot, sepse qoftë në momentin e golit apo edhe në momentin e shtyllës së Patrick në minutat e fundit, futbollistët duhet të markonin më mirë, për të mos i dhënë mundësinë kundërshtarit që të godiste.

Për këtë arsye, në seancat stërvitore, u është kushtuar një rëndësi e veçantë sjelljes së futbollistëve dhe markimit në zonë gjatë momentin që kundërshtari do të ketë mundësitë e veta.

Ndoshta, po të mos ishte edhe fati në anën e shkodranëve, Vllaznia mund të dilte me barazim nga fusha në ndeshjen me Tiranën. Pothuajse, të gjitha rastet e bardhebluve ishin në qendër të zonës, me mbrojtjen e Vllaznisë që u gjend në shumë momente e papërgatitur.

Në një situatë të tillë, ndaj Egnatias, trajneri Mirel Josa kërkon më shumë impenjim edhe të mesfushorëve në rastet e sulmeve të kundërshtarëve, në mënyrë që të mos lejojnë afrimin e tyre në zonë dhe thyerjen e aksioneve shumë larg portës.

Tashmë, mbetet për t’u parë nëse këto direktiva do të arrijnë të sjellin një tjetër Vllazni, kësaj here në Rrogozhinë. Takimi do të luhet ditën e nesërme në orën 15:00 në “Arena Egnatia”, teksa do të transmetohet edhe në kanalet e platformës “OverSport”.
Maringlen ZHIVANI