Nga Endri ÇINARI
Ndeshja e rradhës në kampionat për Vllazninë paraqet një duel të vështirë në transfertë përballë Egnatias. Dueli që do luhet ditën e martë në orën 16:00, është një përballje për kreun e renditjes. Ku si rrogozhinasit ashtu edhe shkodranët duan të tregojnë forcën e tyre dhe ambiciet në këtë edicion. E pikërisht kuqeblutë e drejtuar nga Edi Martini duket se i kanë marrë “masat” për këtë duel. Me trajnerin shkodran që ka piketuar ata që me siguri pritet të jenë titullarë kundër Egnatias.
Kështu për 50-vjeçarin momentalisht ka vetëm një dyshim dhe balotazh në mesfushë mes Muratajt tashmë të kthyer nga dëmtimi dhe Sales. Me këtë të fundit i cili ka qenë titullar në dy ndeshjet e fundit në kampionat, duke dhuruar performanca pozitive. Nga porta në duelin me Egnatian pritet ta nisë Leon Pohls, me gjermanin që tashmë duket se ka “blinduar” vendin e titullarit. Në mbrojtje po ashtu pritet një kthim i rëndësishëm siç është Bajrami, me kosovarin që mungoi kundër Flamurtarit për shkak lëndimi. Megjithëse nëqoftëse mëngjërashi nuk garanton në 100% mund të jenë Kuros dhe Pusi që do e nisin nga minuta e parë.
Në prapavijë po ashtu do jenë edhe Gurishta e Gjini, për të formuar treshen e mbrojtjes. Në mesfushë dy emrat më të sigurtë duket se janë Krymi dhe Kallaku, të cilët do presin se cili mes Muratajt apo Sales do i bashkohet në këtë repart. Nga krahët në të djathtë do jetë Kastrati e ndërsa majtas, Jago, me dyshen që padyshim janë dy pika të forta të formacionit kuqeblu. Në sulm do jetë Balaj, që si mbështetës kryesor në repartin e avancuar pas tij do ketë edhe Malen. Për të formuar kështu dyshen e sulmit shkodran në përballjen e rradhës ndaj Egnatias.(www.shkodrasport.com)







