Vllaznia e femrave arriti një fitore në shifrat 4-2 ditën e djeshme përballë Hajvalise. Vajzat shkodrane triumfuan ndaj atyre kosovare, duke siguruar kështu ndeshjen kundër Valur ditën e shtunë. Takim që do përcaktojë se cili prej ekipeve do shkojë në 32 më të mirat e Europës.
Protagoniste në takimin e fituar mbrëmë ndaj Hajvalisë patjetër ishte Gresa Berisha me dy gola. E po ashtu edhe rrjetat e Bashkes dhe Gjinit ishin të rëndësishme. Për tu ndalur pikërisht tek kjo e fundit, Luçije Gjini, që shënoi golin për shifrat 2-1, në një moment ku pjesa e parë po shkonte drejt barazimit.
Një jetë futbollistike dhe sportive që simbolizohet nga ngjyrat kuqeblu për Gjinin. Që për të cilën flitet pak në media, por është një nga lojtaret kryesore të Vllaznisë dhe titullaret e padiskutueshme. Në rolin e mesfushores, por edhe mbrojtëses kur ka nevojë skuadra, siç ndodhi mbrëmë. 29-vjeçarja ka ditur gjithmonë të japë kontributin e saj.
E duket se skena europiane e “ndez” Gjinin. Ku edhe para 3 vitesh në ndeshjen Vllaznia-ALG Spor, ku vajzat kuqeblu fitonin me penallti pas shifrave 3-3, numri 16-të do ishte protagoniste.
Madje duke shënuar një dopietë në atë triumf kundër skuadrës turke. E mbrëmë ishte goli i rradhës në Champions League për Gjinin. E cila shpresohet të ketë “ruajtur” edhe ndonjë tjetër për ndeshjen e së shtunës ndaj Valur.
Endri ÇINARI