Masimiliano Alegri ka marrë që tani në dorë fatet e Juventusit. Ndryshimi duhet të nisë në kampionat ku skuadra duhet të ruajë ritmin e kreut e mundësisht t’i afrohet Napolit.

Ndërkohë, trajneri mendon për merkaton. Fillimisht fokusi i tij është Adrien Rabio. Francezi synon të largohet, sepse i përfundon kontrata dhe nuk duket se ka dëshirë të qëndrojë. Alegri synon t’i rrëmbejë rinovimin e kontratës duke e vendosur në qendër të projektit të tij teknik. Largimi i Ueston Mekenit është një tjetër objektiv.

Me paratë e fituara nga amerikani, Juvja do të synojë Aleksis MekAlisterin. Kampioni i Botës luan te Brajtoni, por ka mbi vete interesin e klubeve më të mëdha të Europës.

Me 35 milionë euro mund të mbyllej gjithçka, por për momentin Juvja nuk duket e favorizuar nga financat. “Asi” i vetëm janë kampionët e Botës në gjirin e “Zonjës”.

Në fakt, Angel di Maria dhe Leaondro Paredes mund të bëjnë rolin e “shkuesit” për të bindur mesfushorin t’i bashkohet në Torino për të formuar një mesfushë “botërore”.

Ky plan shihet me sy të mirë edhe nga tifozët që në ditët e fundit kanë filluar të popullojnë profilin e MekAlisterit, të cilin jo të gjithë e njihnin deri gjashtë javë më parë.

FLET XHAXHAI – Në lidhje me situatën ka folur edhe xhaxhai i futbollistit. I pyetur mbi shanset e transferimit te Juventusi, Patrisio MekAlister ka deklaruar për nipin e tij:

“Kemi mësuar nga gazetat se Juventusi e kërkon. Është një klub i madh, ndër më të njohurit në Europë. Kjo nuk e ndryshon faktin se Aleksis ndihet mirë te Brajtoni. E vlerësojnë të gjithë dhe gjërat i shkojnë për mrekulli. Me sa di kërkon ta mbyllë sezonin atje, por nëse do të ketë oferta me siguri që do të merren në konsideratë”.

Rastësia do që Aleksis MekAlister të ketë të njëjtin mbiemër si protagonisti i filmit “I vetëm në shtëpi”. Duke imituar adashin, argjentinasi raportohet të ketë humbur avionin që duhet ta sillte në Angli ndaj edhe rikthimi i tij në klub do të shtyhet pas 1 janarit.