Ndeshja e sotme ndaj Veleçikut i ka buzëqeshur sërish futbollistëve të Vllaznisë të cilët në këtë mënyrë do t’i festojnë më të qetë festat e fundvitit. Por ndërkohë, sot gjatë momentit të fundit para daljes nga dhomat e zhveshjes dhe largimit nga fusha “Reshit Rusi”, ata kanë patur një mysafir të veçantë.

Ka qenë humoristi i njohur Nexho Shabani që është shfaqur ai dhe i ka uruar futbollistët për fitoren. Sigurisht që futbollistët e Vllaznisë janë habitur kur kanë parë Nexhon aty.

Ata ndoshta prisnin administratorin Lici apo ndonjë sponsor me ndonjë premio për festat e fundvitit, por para syve u është shfaqur humoristi i njohur.

Gjithsesi edhe kjo gjë ua ka shtuar humorin atyre dhe për rrjedhojë nuk kanë munguar batutat. Nexhoja njihet si një tifoz i zjarrtë i Vllaznisë dhe në fakt për vite me rradhë është parë gjithmonë në stadium duke mbështetur kuqeblutë, por kohët e fundit sikur i kishte braktisur disi.

Rikthimi i sotëm mund të jetë një ogur i mirë ndoshta për ta patur edhe në vazhdimësi duke bërë tifozllëk për ekipin e tij të zemrës. Nexhoja nuk ka munguar t’u urojë futbollistëve të Vllaznisë festat, një shëndet të mirë dhe rikthim në Superligë në fund të sezonit.
© shkodrasport.com