Luis Enrike është në kërkim të një aventurë të re në drejtimin e një skuadre, por ajo nuk do të jetë përfaqësuesja e Brazilit. Ish-trajneri i Spanjës, duke folur për “Ser Gijon”, ka komentuar zërat që kanë dalë rreth tij, pasi është një nga emrat më të kërkuar që kur u largua nga drejtimi i iberikëve, teksa bëri të qartë se nuk e mendonte Brazilin si një opsion.

“Do të më pëlqente të drejtoja në Angli, në Premier Ligë. Tani shoh më shumë kampionatin anglez se sa atë spanjoll. Por nuk dua të krijoj iluzione, nuk e shoh veten në Premier Ligë në qershor.

Dua thjesht të drejtoj një skuadër në gjendje që të luftojë për objektiva të caktuar, kjo e redukton zgjedhjen që duhet bërë. Oferta? Kam marrë ofertë nga një kombëtare, por jo nga ndonjë klub.

A është Brazili? Janë shumë kombëtare që po kërkojnë një trajner. Nuk mendoj se jam profili i duhur për një kombëtare si ajo braziliane. Askush nuk më ka kontaktuar nga Brazili”, tha Luis Enrike në intervistën e tij.