Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, ka theksuar se barazimi ishte i mirë duke parë se si kishin rrjedhur ngjarjet në këtë sfidë,. Ai theksoi se skuadra nuk kishte bërë aq sa duhej në pjesën e dytë, por e vlerësoi si diçka normale në pjesën e sezonit.

“Siç e them gjithmonë, mundohemi të bëjmë gjithçka për të fituar dhe pastaj nëse nuk fitohet, një pikë është e mirë.

Në pjesën e dytë ndryshoi se nuk jemi në formë shumë të mirë. Ata që kanë luajtur më shumë janë të lodhur, ata që kanë luajtur më pak nuk janë në ritmin e duhur, si dhe është një skemë e re që nuk e kemi perfeksionuar, ndaj janë gjëra që ndodhin.

Unë pres nga dikush që ka bërë trajnerin, që të dijë që ndeshjet të jenë të ndryshme në 90 minuta. Nëse do të kishim përgatitur keq ndeshjen, nuk do të kishim bërë atë pjesë të parë që kemi bërë, pastaj janë edhe kundërshtarët dhe janë kundërshtarë mjaft të mirë.

Dhe ata bënë më mirë në pjesën e dytë. Analiza është shumë e thjeshtë, ndeshjet nuk janë kurrë të njëjta. Unë në kaq shumë vite nuk kam parë kurrë një ndeshje që zgjat 100 minuta si një ndeshje tjetër. Sidomos ndeshje vendimtare si këto se jemi në fund të kampionatit mes dy skuadrave të mira.

Rënia në pjesën e dytë? Unë u mundova të rikuperoja por nuk ia dolëm. Në pjesën e dytë vuajtëm, kishim pak rënie edhe fizikisht dhe Vllaznia bëri një pjesë të dytë shumë të mirë.

Tirana fitoi? Ju falënderoj për lajmin por nuk më intereson aspak”, tha Kolela për “Oversport” pas ndeshjes.