Pasditen e sotme në ambjentet e hotel “Colosseo” në Shkodër është zhvilluar Asambleja Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Gjimnastikës.
Në përfundim të punimeve ka dalë edhe emri i presidentit dhe i Komitetit Drejtues që do ta drejtojë këtë Federatë për katër vitet e ardhshme.
Në këtë Asamble, me të drejtë vote kanë qenë 13 klube të vendit e pikërisht, Partizani, Vllaznia, Skënderbeu, Besëlidhja, Tomori, Lushnja, Olimpik, Gjimnastika, Mig-Gym, Sky 07 Gym, “Jump-style” Lushnjë, Sportet Akrobatike dhe Kastrioti.
Në kandidaturat për postin e presidentit në mandatin e ardhshëm ishin dy: Presidenti aktual, shkodrani Leonard Lulaj që do të kërkoj një mandat të ri në krye të kësaj Federate si dhe Skerdjan Vila.
Ky i fundit është diplomuar në Universitetin e Sporteve Tiranë dhe është i çertifikuar si psikoterapist.
Në përfundim të votimeve, shumica e delegatëve me të drejtë vote, kanë qenë në anën e presidentit aktual, Leonard Lulaj për të cilin kanë votuar plot 12 delegatë.
Kandidati tjetër Skerdjan Vila ka marrë vetëm 1 votë. Në kushte të tilla, Leonard Lulaj edhe për katër vitet e ardhshme do të jetë presidenti i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës.
© shkodrasport.com