Java e katërt e Superiores do e gjejë Vllazninë sërish në transfertë. Kuqeblutë do vizitojnë Rrogozhinën ku do i presin vendasit e Egnatias. Një takim po aq delikat sa ai me Tiranën duke parë që edhe ekipi i drejtuar nga Tetova ka arritur një sukses së fundmi në fushën e Laçit. Dhe me patjetër do kërkojë vijimin e rezultateve pozitive.

Dhe statistikat janë në favor të Egnatias përsa i përket ndeshjeve në shtëpi në Superiore kundër Vllaznisë. Rrogozhinasit nuk njohin humbje në 4 takimet e vetme që kanë pasur në gjithë historinë e tyre dy skuadrat. Kështu në sezonin 2004-05, Egnatia do fitonte 1-0 në ndeshjen e fazës së dytë kundër kuqebluve e do barazonte në shifrat 1-1 në fazën e katërt.

Historia pak a shumë u përsërit edhe sezonin e kaluar. Vllaznia mori një barazim 1-1 në Rrogozhinë në fazën e parë e ndërsa u mposht 3-0 në takimin e fazës së tretë. Pra shifra që flasin në favor të vendasve në këtë përballje. Dhe të bën habi fakti se Egnatia mund të jetë i vetmi ekip në Shqipëri që nuk është mposhtur në shtëpi nga Vllaznia.

Kjo edhe për shkak të përballjeve të pakta që kanë pasur dy ekipet. Pasi jeshilët një pjesë të madhe të historisë së tyre e kanë kaluar në ligat inferiore. Tashmë është rradha për të shkruar një tjetër kapitull në historinë e dy skuadrave, ku statistikat dhe e shkuara lihen pas dhe shihet drejt fitoreve dhe objektivave të rinj në këtë edicion.

Endri ÇINARI