Patjetër që futbolli është sporti më i dashur në gjithë botën. Përjashtim nuk bën sa qyteti i Shkodrës që me Vllazninë është skuadra e parë e top këmbës në vendin tonë. Lojtarë pa fund kanë ardhur nga kuqeblutë e pas viteve 90 edhe nga ekipet private. Të shumta janë akademitë nga Shkodra që kanë prodhuar futbollistë, madje edhe deri në nivelin e kombëtares.
Një akademi që po fillon të bëjë emër në qytetin tonë është edhe ajo Shpresa. E drejtuar nga trajneri i mirënjohur, Ardit Mani që në të kaluarën ka formuar edhe emra si: Ardit Krymi apo Erdenis Gurishta, po fillon e merr sukseset e njëpasnjëshme. Jo më larg se këtë javë u zhvillua edhe kupa “Mehdi Milla”. Akademia Shpresa ishte protagoniste.
Me ekipin u-11, ata arritën që të dilnin kampionë duke i dominuar të gjithë kundërshtarët. Madje futbollisti i Shpresa u-11, Ajdi Lumanaj u shpall edhe më i miri i turneut nga ana e specialistëve shkodranë të futbollit. Një element që ra në sy ishte edhe Maldis Boshnjaku, që spikati si golashënues. Patjetër që skuadra kishte plot elementë edhe të tjerë cilësor.
Puna e mirë që po bëjnë stafi i trajnerëve tek kjo akademi, po bën që në Shkodër të ketë një tjetër “minierë talentesh” në futboll. Patjetër që të gjithë mund të ëndërrojnë të luajnë për Vllazninë në të ardhmen, por koha do tregojë se kush mund ta veshë apo jo fanellën kuqeblu.
Endri ÇINARI