Në Shkodër ka lojtarë të talentuar të cilët shpesh nuk gjejnë hapësira në skuadrën e parë dhe detyrohen që të luajnë në Veleçik me Koplikun, te Vllaznia B apo dhe Ada e Velipojës.

Ka ndodhur që lojtarë të cilët nuk e kanë parë vetën as në 22-shen e kuqebluve kanë shpërthyer në ekipet e tjera të vendit, e madje duke fituar një vend te Shpresat U-21 apo dhe Kombëtarja e madhe, siç janë rastet e Nimanit apo dhe Vucajt që kulmin e karrierës së tyre e kanë pasur te Laçi në Superiore.

Por, një tjetër shkodran që së fundmi ka luajtur me Vllazninë B dh Adën do të testohet në Francë dhe bëhet fjalë për 22-vjeçarin Aron Dibra, i cili ka nënshkruar me ekipin e “Stade Briochin” në Ligën e 3 të Francës, në Grupin C.

Sulmuesi është një lojtar teknik dhe me të dhëna premtuese dhe synon që të shpërthejë në Francë, aq më tepër që skuadra synon të ngjitet një kategori më lartë, duke qenë se në grupin ku bën pjesë është në vendin e dytë me dy pikë më parë se vendi i parë./Vipsport/