Për presidentin aktual të Vllaznisë Agron Çela kishte kohë që dihej ndërkohë që për trajnerin Artan Bushati vetëm mbrëmë është mësuar që do jetë edhe ai në listën e kandidatëve për deputet. E veçanta është se do jetë sëbashku me presidentin, në listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI). Agron Çela është i pari në listën e Qarkut Shkodër ndërsa Artan Bushati i treti. Madje sot në një media sportive ka qarkulluar edhe emri i Armir Grimës, drejtorit sportiv të klubit si një tjetër kandidat i LSI-së, por në fakt, ka qenë ky i fundit që ka deklaruar se as ka qenë ndonjëherë me këtë ide dhe as është biseduar fare për të.
Në këtë mënyrë tani e tutje, nga sot dhe deri më 23 qershor kur do të zhvillohen zgjedhjet, do kemi një Vllazni fushate. Me shumë mundësi si Çela ashtu edhe Bushati nuk do ta kenë shumë mendjen tek skuadra, pavarësisht se ata do t’i alternojnë të dyja sëbashku duke dashur të krijojnë bindjen se po mendojnë për një skuadër të re dhe pretendente. Në fakt ajo çfarë ende nuk dihet është se cilin qëndrim do mbajë pushteti lokal në Shkodër. Kjo ngaqë siç dihet, Bashkia Shkodër që është pronarja 100 për qind e aksioneve të Vllaznisë, është e krahut tjetër politik (PD). Në kushte të tilla me shumë siguri do ketë edhe përplasje në këtë drejtim megjithatë deri në këto momente, qetësia vazhdon.
www.shkodrasport.com