Kapitenia dhe lojtarja më me përvojë e ekipit të volejbollit të femrave të Vllaznisë, Ana Gjelaj, që nga dita e djeshme është emëruar edhe si zëvendëstrajnere e këtij ekipi. Lajmi është konfirmuar për gazetën shkodrasport.com nga vetë shefi i klubit Vllaznia Mark Kroqi. Në këtë mënyrë tashmë stafi drejtues i këtij ekipi është kompletuar me emërimin e Gjelajt në këtë detyrë teksa bashkë me trajneren Sadije Gogaj, do ta drejtojnë këtë ekip natyrisht me pretendime të reja në sezonin e ri. Në sezonin e fundit Vllaznia e mbylli në vendin e gjashtë megjithatë objektivat janë për t’u ngjitur në renditje.

Në përbërje të këtij ekipi janë disa vajza të reja të cilat nga viti në viti po fitojnë përvojë më të madhe dhe kjo do t’i ndihmojë në ecurinë e tyre të mëtejshme. Vllaznia nuk ka patur ndonjë ecuri të mirë në këto vitet e fundit me këtë ekip megjithatë shefi i ri i klubit Kroqi u ka vënë kusht të gjithë ekipeve për të rritur nivelin e tyre dhe për të sjellë tifozët në shkallët e pallatit të sportit. Në këto kushte edhe volejbolli i femrave duhet të ndryshojë. Ndryshimi i parë mund të jetë emërimi i Gjelajt në postin e zëvendëstrajneres. Të tjerat mund të vijnë më vonë.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)