Paraqitja e tre boksierëve të kombëtares sonë në turneun që u zhvillua fundjavën e kaluar në Podgoricë, ka qenë e suksesshme. Nga tre boksierët pjesmarrës, dy prej tyre kanë arritur të fitojnë ndeshjet finale dhe të zënë vendet e para në peshat respektive. Një tjetër duhej të ishte shpallur edhe ai fitues, por ka qenë gjyqtaria që ia ka humbur finalen në mënyrë të padrejtë. Kombëtarja shqiptare u përfaqësua në këtë aktivitet ku morën pjesë boksierë nga disa vende të Rajonit me Rexhildo Zenelin, Kristian Shytanin dhe Kristian Demën.


Dy të parët janë treguar në formën e duhur sportive dhe për rrjedhojë kanë arritur të dominojnë ndaj kundërshtarëve të tyre duke zënë vende të para. Ndërkohë edhe Dema ka bërë një paraqitje shumë të mirë ndaj një boksieri malazez që e kishte mundur edhe pak kohë më parë në Memorialin e Shkodrës. Edhe në Podgoricë e ka mundur pastër megjithatë çuditërisht gjyqtarët i kanë dhënë fitoren boksierit malazez. Nga ky veprim i gjyqtarisë janë çuditur edhe organizatorët të cilët kanë kërkuar falje megjithatë vendimi nuk ka ndryshuar. Gjithsesi pjesmarrja në turneun e Podgoricës ka qenë një test i mirë për këta tre boksierë që pritet ta përfaqësojnë vendin tonë edhe në Kampionatin Europian që do zhvillohet në fund të këtij muaji.
Gjergj KOLA

 

(www.shkodrasport.com)