Goli i tij i dha një sukses shumë të rëndësishëm Vllaznisë ditën e djeshme kundër Teutës. Mehdi Çoba u tregua edhe njëherë vendimtar për kuqeblutë në fitoren 1-0 kundër durrsakëve. Sukses që patjetër jep shpresë për një Vllazni që në fund të sezonit mund të tentojë një kualifikim në Conference League.

Për t’u rikthyer tek Çoba, sulmuesi shkodran po kalon formën e tij më të mirë. Jo vetëm 2 golat në 2 javët e fundit kundër Kastriotit dhe së fundmi edhe Teutës, por edhe loja ka qenë në nivelin e duhur. Mëngjërashi duket i rilindur me trajnerin Sedlsoki, ku ish-mbrojtësi duket se i ka dhënë besimin e duhur.

Besim që deri më tani është shpërblyer nga Çoba. Që në ndeshje të caktuara ka luajtur edhe jashtë rolit të tij. Tek Vllaznia prej kohësh presin dhe kanë besim tek aftësitë e 23-vjeçarit, e tani duket se është momenti i tij. Moment që duhet shfrytëzuar në maksimum, jo vetëm për objektivat e skuadrës, por edhe ato personal të Çobes.

Në këtë sprint final të sezonit ku nuk ke kohë as të marrësh “frymë”, tek shkodranët duan që të gjithë futbollistët të jenë në formën e tyre më të mirë. Për të bërë të mundur kalimin në kupat europiane për të tretin sezon rradhazi. Që do ishte një bonus shumë i rëndësishëm për formimin e skuadrës në sezonin tjetër.
Endri ÇINARI