Pas lodhjes për angazhimet ndërkombëtare, por edhe në prag të duelit vendimtar me Totenhemin në Champions League, Spaleti u kujdes maksimalisht për yllin e ekipit Mauro Ikardi. Megjithatë, Interi nuk e ndjeu faktin që kapiteni qëndroi në stol dhe fitoi 3-0 pa vështirësi ndaj Frozinones.

Heroi i mbrëmjes ishte Keita Balde, që realizoi dy herë, duke gjetur golat e parë me fanellën zikaltër. Me rrjetat e sulmuesit nga Senegali, Interi ka arritur të shënojë me 12 lojtarë të ndryshëm në këtë sezon. Një statistikë fantastike, ku nteri lihet mbrapa vetëm nga Borusia e Dortmundit (15 shënues të ndryshëm) dhe Roma (13).

Ndërmjet dy golave të Keita Balde, për skuadrën e Spaletit realizoi edhe Lautaro Martinez, i cili u kthye të luante titullar prej fillimit të muajit nëntor, në ndeshjen e fituar me goleadë kundër Xhenoas.

Talenti 21-vjeçar i la vendin në fundin e ndeshjes bashkëkombasit të tij, Ikardi, me kapitenin që u aktivizua 13 minuta, mjaftueshëm sa për të qëndruar në formë.

Me suksesin përballë Frozinones, i cili mund të kishte shifra edhe më të thella, Interi u ngjit në kuotën e 28 pikëve, aq sa ka edhe Napoli. Por, falë golavarazhit më të mirë, zikaltërit e shohin vetën përkohësisht në vendin e dytë në renditje dhe presin dhurata nga kundërshtarët.