Shkruar nga Gjergj KOLA
Notarja e Vllaznisë Viki Tafrruku vijon të shkëlqejë sërish. Edhe në garën e rradhës, atë të zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytet ka spikatur duke bërë një performancë shumë të mirë. Në garat e Kupës “Klavio Meça” organizuar nga Federata Shqiptare e Notit në kompleksin “Stela”, ajo ka zënë dy vende të para.
Konkretisht në garat e 100 dhe 200 metrave stil i lirë ku ka dominuar mbi të gjitha rivalet e saj dhe jo më kot ka marrë edhe kupën si sportistja më e mirë femër e kësaj kupe.
Ekipi i Vllaznisë i drejtuar nga trajneri Kolë Shiroka është përfaqësuar në këtë aktivitet përveçse me Tafrrukun edhe me sportistët e tjerë: Skerdi Kroni, Joel Golemi, Klea Dedi, Adriel Marku, Melodi Mimaj, Herta Mimaj, Ajten Zaja, Frederika Rrotani, Angjelo Rrotani, Kol Rupa, Kean Tafili, Dean Vajushi dhe Gjergj Mirija.
Garat kanë qenë të gjithë në kategorinë Open dhe ndërkohë notari Skerdi Kroni ka zënë vendin e tretë në garën e 100 metrave stil i lirë. Në stafetat 4 x 50 metër stil i lire ( Viki Tafrruku, Klea Dedi, Adriel Marku, Herta Mimaj) dhe 4 x 50 meter MIX (Klea Dedi, Frederika Rrotani, Viki Tafrruku, Melodi Mimaj) fituan vende te treta.
Po ashtu edhe meshkujt fituan vende të treta ne stafetat e 4 x 50 metër stil i lire dhe 4 x 50 metër MIX. (Skerdi Kroni, Angjelo Rrotani, Kean Tafili, Joel Golemi).
Në këtë mënyrë, Viki Tafrruku, sportisja që vetëm tre ditë më parë mori edhe çmimin “Talentin e Vitit 2025” në ceremoninë e organizuar nga Gazeta “Shkodra Sport” vijon të shkëlqejë në çdo garë që merr pjesë duke u konfirmuar edhe njëherë tjetër si një prej notareve më të mira të vendit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



