Tapeti i “Air Albania Stadium” do të ndërrohet tërësisht. Edhe pse u punua maksimalisht që kjo fushë të ishte në gjendje optimale, një gjë e tillë është e pamundur për shkak të kufizimit të dritës natyrale nga tribunat.

Së fundmi, Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendim për ta ndërruar atë me tapet hibrid, kostoja e së cilit kap vlerën e 1 milionë eurove.

Marrëveshja është arritur me një kompani turke që do të nisë nga puna menjëherë pas ndeshjes së Shqipërisë me Anglinë në kuadër të eliminatoreve të Botërorit.

Mësohet se pas vendosjes së tapetit, do të duhen 4 javë për të qenë gati për të pritur ndeshjen e parë. Kuqezinjtë do të përballen me anglezët në 28 mars, sfidë e cila do të luhet në stadiumin “Air Albania”.

Në vendin tonë kanë mbërritur llambat për dritën dhe ventilimi artificial si edhe ekspertë të mirëmbajtjes së fushës nga Anglia, në mënyrë që fusha të jenë në gjendje optimale për atë datë.