E ka nisur me fitore kampionatin Vllaznia e volejbollit të femrave duke mundur 3-0 Apoloninë në ndeshjen e parë. Ky ka qenë një start i mbarë edhe për trajneren e tij Nora Deda. Ajo mori përsipër një detyrë shumë të vështirë për drejtimin e këtij ekipi që kaloi shumë probleme, megjithatë ka qenë e vetëdijshme për një gjë të tillë.

“Më pëlqejnë vështirësitë dhe prandaj vendosa ta pranoj ofertën për të drejtuar këtë ekip. Dua të them se vështirësitë më kanë shoqëruar gjithë jetën, si në sport, ashtu edhe gjatë shkollimit tim e po ashtu edhe më tej. Më pëlqejnë sfidat e reja sepse jam e mendimit se vetëm duke i sfiduar vështirësitë, mund të bëhesh më e fortë”- ka thënë në fillim të prononcimit të saj Nora Deda.

Ajo e mori drejtimin e këtij ekipi kur nga rradhët e tij u larguan plot 5 volejbolliste, megjithatë për trajneren e re ishte e qartë se duke punuar fort me elementin e ri, gjërat mund të shkonin mirë e për këtë arsye shton:

“Kam kënaqësinë të punoj me disa vajza të reja të cilat janë me të vërtetë të talentuara e që premtojnë shumë për të ardhmen. Këto vajza më shohin në dritë të syrit, kanë një angazhim tepër të madh për të arritur rezultatin.

Fitorja në ndeshjen e parë ndaj Apolonisë më gëzon pa masë, por kjo nuk është ajo që më jep siguri për vazhdimësinë, sepse unë i njoh krejt mirë vështirësitë që ka ky ekip, apo nevojat për përmërësim.

Unë dua të përmend disa nga lojtaret kryesore të ekipit, Shqipe Mollën, Klodeta Zhivanin, pasuesen Sarah Beci, Izabela Dodanin që është me mjaft perspektivë, Iris Bardelin, janë edhe disa motra me mbiemrin Kodra që premtojnë shumë për të ardhmen”.

Po cilat janë pretendimet e këtij ekipi në sezonin e ri? Trajnerja Deda shton: “Vitin e kaluar ekipi u rendit në vendin e pestë. Ne sivjet synojmë të ngjitemi një shlallë më lart, pra në të katërtin”./SHKODRA-SPORT.COM/