Pavarësisht fitores së fundit ndaj Apolonisë, loja e ekipit të Vllaznisë nuk është ngjitur aty ku duhet dhe nga sa shihet, kuqeblutë po shfaqin edhe pak probleme fizike. I këtij mendimi është ish- kapiteni i kësaj skuadre Elvin Beqiri që në një prononcim për mediat është shprehur:

“Tek Vllaznia shoh që ka filluar njëfarë tensioni dhe presioni i vendit të parë. Shoh që ekipi nuk po bën atë lojë që ka bërë në ndeshjet e mëparshme. Ka njëfarë rënie në lojën e saj. Tani duhet të fillojë të bëjë mirë edhe llogaritë dhe të luajë më shumë për të marrë pikët dhe të mos e ketë mendjen tek loja e bukur.

Po ashtu, ekipi duhet të përmirësohet edhe nga ana fizike sepse në këto ndeshjet e fundit ka patur njëfarë rënie në këtë aspekt. Unë shpresoj që ndeshjet e ardhshme të jenë më të mira në çdo drejtim për Vllazninë”- ka thënë ai.

Beqiri ndërkohë ka folur edhe për ndeshjen e rradhës të ekipit shkodran, atë që do të luajë të dielën ndaj Skënderbeut në transfertë. Për ish- mbrojtësin e njohur tashmë drejtuesit duhet të nisin t’i bëjnë mirë llogaritë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë për Vllazninë pasi do të luajë ndaj një skuadre si Skënderbeu që do të jetë shumë i motivuar për të marrë pikët të cilat i duhen shumë për vetë renditjen që ka.

Megjithatë mendoj se Vllaznia është më e favorizuar për ta fituar këtë ndeshje sepse ka një kontigjent më të bollshëm lojtarësh dhe ndonëse do të ketë mungesa në rradhët e saj, besoj se ata që do të luajnë do të tregojnë vlerat e veta”- është shprehur Elvin Beqiri./SHKODRA-SPORT.COM/