Chelsea ka blinduar Armando Brojën me një kontratë të re, e cila skadon në vitin 2028. Lojtari i talentuar ka folur për faqen zyrtare të klubit pasi ka hedhur firmën në letër, duke treguar gjithë lumturinë që ndjen për marrëveshjen e arritur.

20-vjeçari shqiptar thotë se Chelsea është ekipi i tij i zemrës dhe fakti që luan me ekipin e parë të tyre është një ëndërr e bërë realitet prej tij.

“Më kanë humbur fjalët vetëm duke menduar për të. Është klubi që kam ëndërruar të luaj gjatë gjithë jetës sime, klubi që unë mbështes dhe klubi që dua. Unë kam qenë këtu që kur isha djalë i vogël, kështu që është një ndjenjë joreale për mua dhe familjen time.

Të mund të vesh fanellën blu me ekipin e parë është një ëndërr e bërë realitet. Është e mahnitshme çdo minutë që luaj në fushë, sepse ky është një nga klubet më të mëdha në botë.

Gjithmonë ka konkurrencë dhe të gjithë duan të luajnë, kështu që unë jam i lumtur që kam mundësinë të jem pjesë e saj. Shpresoj që të luaj shumë ndeshje dhe të jem pjesë e suksesit të ekipit”, ka thënë Armando Broja.