Rikthimi i Aleksandër Nybel në Bajern u duk se do të ishte çështje e mbyllur pas asaj ngjarjeje me “viktimë” Manuel Nojerin, ku dëmtimi i këtij të fundit në sportin dimëror të skisë detyroi ta mbyllte sezonin përpara kohe.
Gardiani gjerman, i cili aktivizohet në radhët e ekipit të Monakos, edhe pse është i huazuar nga gjigantët bavarezë e ka “tradhtuar” skuadrën që zotëron kartonin, duke i thënë “jo” publikisht pas shumë thashethemesh mbi të ardhmen.
NYBEL: “Nuk ka kuptim të kthehem sërish në Mynih. Nojer e ka diktuar se mbetet numri ‘1’ dhe nga fundi i sezonit me shumë mundësi do të jetë gati, çka nënkupton se nuk ka sens të jemi aty. Kur kalova te monegaskët arrita të kuptoj se këtu më vlerësojnë dhe më bëjnë të ndihem i rëndësishëm. Besoj se ky është përjetimi më i mirë i një futbollisti.
Krijimi i besimit nga të dyja palët rrit marrëdhënie të shëndoshë, në Gjermani më mungoi dhe nuk më jep shpresa për t’u ndodhur sërish aty. Nëse ekipi në fjalë (Bajerni) do të dëshironte vërtet shërbimet e mia do të më kontaktonte në një fazë optimale, jo kur i zë rrota bishtin. Është e vërtetë se të luash me bavarezët është kulmi i karrierës futbollistike, ama të jesh në pozitën e titullarit, jo të luash si zëvendësues”, përfundoi 26-vjeçari te “Bild Sport”.
Kjo teori ka gjetur qasje edhe në reagimin e menaxherit të Aleksandrit, Stefan Baks: “Dëshira e tifozëve të Bajernit është që Nybel ta shikojnë të veshur me ngjyrat e tyre, por a na jep siguri se ai do të jetë titullar. Vendimet e nxituara mund të kushtojnë shtrenjtë dhe kjo formulë të dërgon në një përfundim të tillë”, tha agjenti.