Mbiemri Vata po dëgjohet sërish te Celtic. Me këtë skuadër të njohur skoceze tani është Rocco, djali i ish-futbollistit shkodran Rudi Vata. Rocco po ecën në gjurmët e babait të tij, ish-futbollistit Rudi Vata, teksa mbrëmjen e kaluar vetëm 17-vjeçar debutoi me fanellën e Celtic.

Ai është pjesë e Akademisë së klubit prej mëse tre vitesh dhe ka firmosur një marrëveshje pesë-vjeçare me ekipin e njohur skocez. Djaloshi luajti vetëm gjashtë minuta në pjesën e dytë me Celtic dhe i duhet ende kohë për të arritur në ato nivele, ku babai i tij ishte në vitet 90’.

Rocco Vata është një talent premtues për të ardhmen dhe cilësitë e tij i kanë bërë përshtypje opinionit sportiv në Skoci. Rocco ka rënë në sy edhe për mënyrën se si i shënon golat me moshat e skuadrës legjendare skoceze.

Ai luan si mesfushor ofensiv dhe kontrata e tij me Celtic skadon në vitin 2024, ndërsa vetë futbollisti vlerësohet nga klubi rreth dy milionë euro.

Padyshim, babai i tij Rudi la shenjë në kampionatin skocez, ku u aktivizua për katër sezone, duke i shënuar edhe rivalit të përjetshëm, Rangers. Tashmë mesa duket, tradita do të vazhdojë dhe do të shohim një tjetër Vata me këtë fanellë.
Maringlen ZHIVANI