Shkruar nga Gjergj KOLA
Pak ditë më parë, Basania zyrtarizoi Arbër Shytanin në krye të pankinës së saj. Një emërim që është mirëpritur nga tifozët e kësaj skuadre dhe jo vetëm sepse kemi të bëjmë me një trajner të ri dhe me shumë ambicie, i cili gjatë këtyre viteve që ka ushtruar këtë profesion ka treguar profesionalizëm.
Vetë Shytani në një prononcim ekskluziv të dhënë për Gazeta “Shkodra Sport”, ka shpjeguar edhe arsyet që e çuan atë në pranimin e këtij propozimi dhe njëkohësisht ka folur shkurtimisht për atë se çfarë pritet të dhurojë kjo skuadër në sezonin e ri.
“Në radhë të parë, dua të falënderoj drejtuesit e ekipit të Basanies, Ermir Shimajn dhe Benardin Kullën, për besimin që treguan ndaj meje, duke më besuar detyrën e trajnerit.
Arsyeja pse pranova këtë ofertë lidhet, së pari, me vizionin që ata kanë për ndërtimin e ekipit këtë sezon, duke u mbështetur te lojtarë me ambicie për t’u rritur dhe për të ecur përpara.
Së dyti, më bindi serioziteti dhe korrektësia që të dy drejtuesit kanë dëshmuar ndër vite, duke investuar vazhdimisht në sportin shkodran. Për këtë arsye, besoj se ky bashkëpunim është zgjedhja e duhur për të ndërtuar një punë cilësore dhe afatgjatë. Uroj që të gjithë bashkë te ndërtojmë një punë të mirë këtë sezon”- është shprehur Shytani.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


