Stenio Zhunior dhe Partizani kanë pasur një krisje mes tyre. Sulmuesi brazilian nuk luajti në dy ndeshjet e fundit kundër Teutës dhe Vllaznisë, për shkak të një tërheqjeje në kofshë. Por, nuk është vetëm dëmtimi që e ka mbajtur jashtë fushave bomberin e kuq.
Braziliani ka kërkuar të marrë edhe pagat e tij, të cilat nuk i ka marrë ende. Deri më tani Zhunior ka luajtur 16 ndeshje, ku 10 prej tyre i ka nisur si titullar. Në 792 minuta të luajtura, Zhunior ka shënuar 6 gola, duke pasur një mesatare të mirë, gol çdo 132 minuta.
PROTESTA – Nuk është vetëm Stenio Zhunior ai që ka kërkuar të shlyhet për pagat. Një ditë para derbit kundër Tiranës, futbollistët e Partizanit kërkuan një takim me drejtorin e përgjithshëm të klubit, Olsi Rama, për të diskutuar për rrogat që nuk janë shlyer.
Stërvitja e fundit para derbit kundër rivalëve bardheblu nisi me vonesë, pasi futbollistët kërkonin garanci. Pas bisedës me drejtorin Rama, ekipi vijoi stërvitjen normalisht dhe vazhduan me sezonin që kishin përpara.
ZHUNIOR – Për t’u rikthyer te bomberi brazilian, situata është e paqartë për të. Nuk dihet nëse 29-vjeçari do të luajë në ndeshjen e fundit kundër Bylisit apo nëse do të qëndrojë te “demat” sezonin e ardhshëm. Edhe pse ka kontratë edhe për sezonin e ardhshëm, Zhunior mund të vendosë që të largohet, pikërisht për shkak të problemeve me pagesat.
Pas një gjysme të dytë sezoni shumë të mirë me Partizanin, interesimi për 29-vjeçarin brazilian nuk do të mungojë. Gjatë ndeshjes kundër Vllaznisë, Stenio u pa gjatë gjithë kohës i dëshpëruar në stolat e tribunës, madje edhe duke qëndruar i vetëm dhe pa lëvizur aspak…