Orges Shehi ka festuar sot titullin e parë kampion me Tiranën, të parin në karrierën e tij si trajner. Një titull i fituar në derbi, një përgjigje më e mirë e mundshme për të gjithë ata që dyshonin te ai, siç tregoi Shehi për “SuperSport” pas sfidës.

“Merita u shkon çunave që kanë qenë të palodhur që nga vera, ndoshta me kanë duruar shumë se në kampionat kemi ndërruar skemë. Jam i nderuar që drejtoj në një klub të tillë dhe me këta lojtarë që janë ndër më të mirët që bëjnë frymën e grupit dhe është privilegj i madh që drejtoj këto futbollistë

Është e vërtetë që në tre ndeshjet e fundit nuk kemi qenë ku duhet, për shkak të shumë faktorëve. Donim sot të ishim protagonistë, ndaj një rivali historik edhe pse kishim vështirësi dhe mungesa. U munduam të luajmë në mënyrë tjetër dhe pastaj dëmtimi i Toshevskit na vështirësoi.

Ndërruam modul, por ndonëse pësuam gol, luajtëm me të njëjtin ritëm e mobilizim pa vrarë mendjen. Një skuadër në disavantazh do forcë karakteri të vazhdojë me të njëjtin ritëm e të përmbysë rezultatin dhe të gëzojë me këtë titull kaq shumë tifozë.

Ndryshuam duke futur Taulantin dhe Totre. I thashë që nuk e shoh parullën “No Totre, no party”, isha gati ta shkruaja vetë. Për fat ma kursyen tifozët se e vendosën ata.

Sezoni? Pasi ndërtuam grupin filluam duke luajtur mirë, por pas përfundimit të fazës u rritëm të gjithë me njëri-tjetrin dhe u lidhëm të gjithë. Ecuria e fazës së parë na dha shumë besim edhe pse kishim mungesa, skuadra po fitonte, pastaj ishte forca që e kuptuan se sa të fortë jemi edhe në vështirësi. Sepse kemi pasur të tilla. Këto vështirësi e kjo ecuri na rriti besimin më shumë dhe mendoj se ajo ka qenë pika e kthesës sidomos në fazën e dytë, aty besuam se vetëm ne mund ta humbnim.

Kontrata? Mendoj që është një temë që nuk më pëlqen ta diskutoj. Sigurisht ka kohë të mendojmë e reflektojmë unë, klubi e lojtarët e pastaj të shohim.

Ne trajtojmë të gjithë lojtarët njëlloj. Pastaj konfidencën që e ke me disa lojtarë ndoshta nuk e ke me tjetër. Limajn e kam marrë unë nga Kukësi, Totre të kupton sa hap gojën, me Taulantin jam lidhur se ka qenë edhe vitin e kaluar, Hoxhallari, Ilioni me Gentin kane qenë pjesë e stafit. Me këto kam pasur afrimitet me shumë, por jo duke i trajtuar me dy standarde. Standardi ka qenë i njëjtë, por afrimiteti ka qenë me këto lojtarë.

Më i gëzuar me titullin te Skënderbeu apo me Tiranën? Titulli i parë me Tiranën për arsyen shumë më të thjeshtë se kur je trajner përgjegjësia është e jotja, puna është trefish me e madhe. Kur je lojtar secili bën punën e vet dhe ky titull më ka shijuar shumë dhe është kënaqësi që nuk di ta përshkruaj me fjalë.

Dedikimi është për familjen time se i merr kohë kur je trajner. Mendimi shkon për bashkëshorten, fëmijët e mi, nënën time, pastaj te çunat, drejtuesit, klubi, sidomos te tifozët. Nuk ka qenë e lehtë për mua se kur je i ri, skepticizmi ka qenë i madh. Por e ke edhe sfidë me veten tënde, duke mos pasur asgjë, kontratë. Asgjë. Është kënaqësi e madhe të bëj tifozët për vete se fatkeqësisht unë nuk kam luajtur asnjëherë për këtë klub”, tha Shehi.