Vllaznia mori një fitore plot vlera në javën e 14-të të Superiores. Shkodranët arritën një sukses pas 9 vitesh në transfertë kundër Teutës. Ku vendimtar ishte një gol i shënuar nga Ildi Gruda që në minutën e 3-të të ndeshjes. Një sukses që i jep pak “oksigjen” ekipit kuqeblu, që po kalonte një periudhë të vështirë.

Por përveç fitores ishte edhe një fakt tjetër që ra në sy. Vllaznia ishte më e shkodranizuar se kurrë në sezonet e fundit. Ishin plot 9 lojtarë shkodranë në formacionin e skuadrës. Duke nisur që nga portieri Qarri. Mbrojtësit Hakaj, Smajli dhe Pusi. Në mesfushë ishte dyshja Krymi dhe Sala që e nisën nga minuta e parë.

E ndërsa sulmi ishte i gjithi shkodran me Balajn në majë dhe Çobën e Grudën nga krahët. Të vetmit të “përjashtuar” ishin Juriç dhe Boshnjaku, që ishin në formacionin titullar. Një Vllazni me kaq shkodranë në formacion nuk e kishim parë prej disa sezonesh tashmë. E duket se kjo ishte fatsjellëse për skuadrën.

Kjo pas fitores që mungonte prej shumë javësh dhe duket se tashmë “akulli” u thye dhe të gjithë shpresojnë që kuqeblutë të vijojnë në rrugën e rezultateve pozitive. Duke nisur që nga ndeshja e së shtunës, ku shkodranët i pret një transfertë e vështirë kundër Egnatias.

ENDRI ÇINARI