Tërbuni këtë sezon do garojë në Kategorinë e Dytë të futbollit tonë, kampionat që do startojë në datën 23 shtator. Pukjanët kanë formatuar ekipin e tyre, duke sjellë disa elementë me vlerë në skuadër.

E po ashtu duke sjellë në krye të pankinës një emër të njohur si Altin Xhahysa. Ish-sulmuesi i Vllaznisë ka detyrën që të rikthejë ekipin në Kategorinë e Parë.

Objektiv që duket se është kryesor në këtë edicion për pukjanët. E për këtë prej disa ditësh ka nisur “zbori” i skuadrës, ku Tërbuni ndodhet në qytetin e Pukës duke zhvilluar një fazë të mirëfilltë përgatitore.

Ekipi i Tërbunit ka shërbyer në vite për shumë futbollistë shkodranë. Të cilët kanë gjetur hapësirat e duhura për të shpërthyer më pas në skuadra të ndryshme. Tashmë pritet që kjo skuadër të rikthehet edhe njëherë në Kategorinë e Parë ku ka milituar suksesshëm në shumë sezone.
Endri ÇINARI