Kristiano Ronaldo e ka refuzuar ofertën që i erdhi këtë javë nga një klub i Arabisë Saudite.
Televizioni portugez “TVI” dhe “CNN Portuguesa” transmetuan të enjten se një klub anonim arab i ka bërë një ofertë faraonike portugezit. Në total, oferta shkonte në 300 milionë euro që CR7 të luante në Arabinë Saudite për 2 vite.
Nga kjo shifër, 30 milionë euro ishte pagesa e kartonit për Mançester Junajtidin, rroga e lojtarit për 2 vite, 250 milionë euro (125 milionë në vit) dhe 20 milionë euro pagesat e menaxherit Zhorzh Mendesh dhe ndërmjetësve të transferimit.
Por Kristiano dëshiron të qëndrojë në Europë për të paktën edhe një tjetër sezon, për të pasur mundësi ta mbyllë duke fituar trofe me një klub të rëndësishëm dhe “ESPN” raportonte një ditë më parë se 37-vjeçari e ka refuzuar atë.
Mediat angleze shkruanin se pas refuzimeve të Çelsit, Bajernit dhe PSG-së për të firmosur me 5 herë fituesin e “Topit të Artë”, ai mund të vendosë të qëndrojë në “Old Trafford”.