Olsi Gocaj është tërhequr nga futbolli i luajtur pas 14 vitesh. Një karrierë e mbushur me emocione dhe sfida nga më të ndryshmet. Mbrojtësi shkodran në moshën 33 vjeçare vendos të “var” këpucët në gozhdë. Largimi nuk ishte aspak i lehtë për të, por familja është pjesa më e rëndësishme e jetës dhe e tillë ishte arsye që ai u largua përfundimisht nga futbolli.

Hapat e tij të parë i hedhi në akdeminë e qytetit të lindjes, Vllaznisë. Rrugëtimi i tij do të vijonte në ekipin e Kastriotit ku u aktivizua për 2 vite duke u rikthyer përsëri në Shkodër, në ekipin e Vllaznisë që kaq shumë e donte. Fati nuk donte që Gocaj të ngrinte lart një trofe me ekipin e tij të zemrës.

Në vitin 2015 Olsi Gocaj, ishte pjesë e Laçit ku arriti të fitonte Supërkupën e Shqipërisë. Me Vllazninë, Gocaj zhvilloi një karrirë të gjatë, ku numëron më shumë se 200 ndeshje. Në vitin 2019 Gocaj u bashkua me Flamurtarin duke vijuar karrierën e tij deri në fundin e saj.

Në një rrëfim të veçantë dhe emocionues ekskluzivisht për Newsport.al, Olsi Gocaj ndan emocionet e tij ndër vite dhe përkujton me shumë dashuri tifozët e veçantë shkodran.

Intervista e plotë me Olsi Gocajn:


1-Olsi Gocaj të falenderoj për kohën tuaj që pranuat këtë interivstë. Cila ishte arsyeja që të bëri të largoheshe nga futbolli i luajtur?

Ju faleminderit juve, kenaqesia është e imja. Arsyet që më bënë të largohesha nga futbolli ishin krejtësishtë familjare. Më duhej të largohesha dhe kjo për mua nuk ishte aspak e lehtë, të thëm të drejtën.

2-Tashmë që jeni zhvendosur në Amerikë, a aspironi që të jeni pjesë e botës së sportit dhe në vendin ku po jetoni?

Aktualisht nuk kam në mendje diçka konkrete, por me kalimin e kohës pse jo. Unë zotëroj licensat e trajnimit, UEFA C dhe UEFA B, pasi këto i kam përfunduar me kohë. Në të ardhmen e shikoj si mundësi aktivizimin në botën e trajningut.


3-Kush ishte kulmi i karrierës tuaj si futbollist në Shqipëri?

Kulmi i karrierës time? Do të përmendja kohën kur isha pjesë e Kastriotit në moshën 19 vjeçare. Asokohe isha pjesë e Kombëtares U-21 dhe u ftova në Kombetaren e madhe për zborin që u zhvillua në Turqi nga i ndjeri Kuzhe. Po ashtu do të veçoja vitin 2010-2011 me Vllazninë në UEFA Europa League, ku arritëm të kalonim në turin e dytë kundër zviceranve të Thun, por fati jonë i keq pasi u eliminuam vetëm në 2 minutat e fundit të ndeshjes. Ai kualifikim do të na dhuronte mundësinë të përballeshim me Palermon. Gjithasthu do të doja të përmend dhe fitimin e Superkupës me Laçin.

4-Si e shikoni Vllazninë në këtë sezon, deri ku mund të arrijë me këtë organikë dhe çfarë mund t’i sugjeroni stafit apo drejtuesve?

Mendoj që Vllaznia ka një grup mjaft të mirë lojtarësh, shto këtu dhe trajnerin Mirel Josa, i cili është një ndër më të mirët në Shqipëri. Ekipi dhe pse ka patur ato luhatjet e saj, me ulje-ngritjet gjatë fazave, besoj që do të rivalizojë denjësisht në luftën për titull. Deri në fund të kampionatit janë shumë pikë dhe Vllaznia besoj që do të jetë në garë.


5-Projekti “Flamurtari 2022-2023” i bërë publik në fillim të këtij sezoni, sa mendoni që do të arrihet nga klubi?

Projekti i Flamurtarit ka vetëm një objektiv, të arrijë Superligën. Lojtarët që ka në organikë janë shumë të mirë dhe për shumë vite kanë qenë pjesë e Supeligës. Unë besoj që ekipi do të arrijë shumë shpejt të realizojë qëllimin e tij.

6-Lojtarët të cilët do të veçonit gjatë karrierës tuaj? (ato të cilët ke vlersuar si në fushë por dhe jashtë saj)

Gjatë karrierës time kam kaluar shumë momente të mira dhe të këqija. Unë kam shumë lojtarë me të cilët i kam ndarë këto momente, por fillimisht do të veçoja ato që më ndihmuan së tepërmi kur u bëra pjesë e Vllaznisë si Sinanin, Sukajn dhe Grima. Nuk lë pa përmendur dhe Krymin, Pjeshkën, Ribajn, Bicajn, Nikën e Çelhakën që vazhdoj ti kem miq shumë të mirë dhe jashtë fushe.

7-A keni ndonjë peng nga karriera juaj si futbollist?

Patjetër që kam një peng dhe është më i madhi në karrirën time, rënia në Kategorinë e Parë me Vllazninë. Kjo është një brengë të cilën s’do të doja të ndodhte kurrë. Ndjej akoma shumë për këtë gjë, të cilën nuk arritëm ta shmangim dot. Është një peng që nuk arritëm të bënim diçka më shumë.

8-Një parashikim i juaji se kush ekip do të shpallet kampion në këtë sezon të Superligës?

Në këtë sezon, shikoj 3 ekipe pretendente Partizanin, Tiranën dhe Vllazninë. Do të jetë një garë e gjatë dhe e luftuar, pasi diferencat nuk janë shumë të mëdha. Në fund uroj me zemër që kampion të shpallet Vllaznia dhe të rikthejë titullin që aq shumë e dëshiron i gjithë qyteti.

9-Në Shkodër shumë tifoz kanë qenë mbështetës të medhenj ndaj jush dhe të shumtë kanë ndjerë keqardhje për largimin tuaj nga futbolli. Si e vlerson këtë Olsi Gocaj?

Në Shkodër marrëdhënia me futbollin është e veçantë. Tifozët janë të dashuruar me Vllazninë dhe kjo është diçka e radhë. Unë kam qenë pjesë e Vllaznisë për 8 vite dhe ndihem mirë kur dëgjoj që jam pjesë e memories së tyre. Gjej rastin t’i përcjell falenderimet e mia të përzemërta të gjithëve sepse ato janë tifozët më të mirë./newsport/