Nga ARTAN SHYTI*

Superliga jonë e futbollit fillon javën tjetër, por përsëri nuk duket se do të ketë një emër, siç e kanë shumë të tjera që synojnë të marrin para edhe nga ky element. Mes këtyre, edhe Kosova.

Sepse Kosova e gjeti përsëri një emër për Superligën e saj të futbollit. Më saktë, e ndryshoi emrin e vjetshëm, sepse Kosova ka disa vite që i ka vënë një emër Ligës së vetë. Dhe, natyrisht, merr parà për këtë.

Pra, futbolli merr edhe një financim më shumë, sepse Liga do të quhet “IPKO Superliga”, duke marrë emrin e platformës dixhitale në Kosovë. Po pse ne nuk gjejmë dot një kompani shqiptare apo të huaj që t’i japë emrin dhe paratë kampionatit të Superligës së Shqipërisë?

Përse është kaq e vështirë që futbolli ynë të gjejë edhe një financues tjetër dhe të mos varet vetëm nga xhepi publik i bashkisë dhe xhepi privat i presidentëve!?

Nuk kam dyshuar kurrë në pamundësinë e krijimit të Ligës Profesioniste në futbollin shqiptar. Është tashmë e qartë që edhe ky kampionat do të fillojë pa këtë strukturë, që ka si mision kryesor të garantojë para për klubet anëtare.

Dhe është e dhimbshme kur di që një Ligë serioze mund të gjenerojë të paktën 5 milionë euro në sezon, domethënë 500 mijë për çdo klub dhe përsëri nuk duan ta krijojnë.

Liga nuk do krijohet, kjo është e qartë. Ka qenë e qartë prej kohësh… bashkë me arsyen kryesore. Po të paktën një emër. Si gjithë të tjerët. Si Kosova, e cila në sport po bëhet modeli që duhet të ndjekim. Edhe në rastin e emërtimit të Superligës, por jo vetëm për këtë.

Shumë mirë për Kosovën dhe njëkohësisht, shumë turp për ne. Po sa para bën turpi, kur nuk gjejmë njerëz që turpërohen…
*Opinioni eshte botuar ne gazeten “Panorama Sport”