Nga Luan SHPUZA

Vllaznia e sezonit të ri prej disa ditësh ka nisur punë dhe ajo çka vërej unë është një seriozitet maksimal në çdo drejtim. Kam qenë kritik edhe për skuadrën e sezoneve të fundit pavarësisht sukseseve që ajo pati, sepse nuk jam bindur plotësisht nga mënyra si është punuar dhe njerëzit që kanë qenë në krye të saj.

Por sot është krejt ndryshe. Një Vllazni me aromë Shkodre. Në krye të saj janë figura shumë serioze dhe profesionistë të vërtetë. Duke filluar nga Mirel Josa që është një gjysëm- shkodran. Për të vazhduar me Vioresin Sinani shumë serioz dhe profesionist i vërtetë.

Stafi vijon më tej me Auron Milotin që ka sjellë te Vllaznia ide Perëndimi dhe për ta mbyllur me Ideal Lekiqin, një djalë punëtor dhe shumë pasionant.

Presidenti ka formuar një staf të mrekullueshëm dhe jam i bindur se ai do të bëjë më të mirën për Vllazninë e të gjithë shkodranëve. Edhe unë personalisht kam besim tek ky staf sepse janë njerëz të përkushtuar, jo të përfolur dhe ju uroj suksese në punën e tyre.

Vllaznia duhet të qëndrojë larg amatorëve sepse nuk i pranon ato.Tashmë çdo gjë mbetet në këmbët e futbollistëve, duhet ta tregojnë veten se janë profesionistë, për të bërë një skuadër të fortë dhe konkurruese për titullin kampion.

Ajo çfarë unë pres nga presidenti, është që të vërë një dorë të fortë edhe te Akademia. Ashtu siç filloi të vepronte ish- drejtori Maliqi të cilin hienat nuk e lanë të punonte i qetë. Por besoj se reforma tek Akademia duhet të vazhdojë me largimin edhe të njerëzve të tjerë që nuk përmbushin kriteret e profesionalizmit që kërkon kjo Akademi.