Te Vllaznia duhet ndërhyrje urgjente në merkaton e janarit. Me ardhjen e drejtorit të ri sportiv Tefik Osmani, shpresojmë të korrigjohen gabimet amatore të paraardhësit të tij, Elvis Plori, që i bëri “gjëmën” ekipit dhe presidentit Alban Xhaferi.

Drejtori Osmani duhet të largojë 5-6 futbollistë që firmosën pa patur nivel të luajnë për këtë fanellë të madhe dhe për ngjyrat kuqeblu. Gjithsesi, t’ia lëmë të shkuarës dhe atyre që dolën e “pushtuan” televizionet, duke thënë e kam bërë unë ekipin me 25-futbollistë.

Pa qenë profesionist si sportist, nuk bëhesh kurrë as drejtues, aq më tepër kur nuk ke vizion dhe ide. Trajneri Qatip Osmani, si një burrë i qetë dhe profesionist, duhet urgjentisht të korrigjojë repartet në fushë dhe faktorin psikologjik.

Po shtu, edhe harmoninë që i mungon në grup. Shpresojmë që dyshja e Osmanëve edhe pse vonë të bëjnë më të mirën, të gjithë së bashku edhe me presidentin Alban Xhaferi dhe pjesën tjetër të drejtuesve, por edhe futbollistët të impenjohen në maksimum, sepse opinioni është i zhgënjyer me shumë lojtarë që nuk e meritojnë të luajnë për këtë fanellë të madhe dhe për ngjyrat kuqeblu.

Unë jam i mendimit që është urgjente që të vendosen pikat mbi “i” pas gabimeve të paraardhësit të drejtorit aktual. Unë besoj se Tefik Osmani ka aftësi drejtuese si futbollist dhe si drejtor kampion te Tirana. Shpresoj që te Vllaznia të mos vijnë më drejtora si rasti i Elvis Plorit, ku edhe presidenti Alban Xhaferi kishte fajet e tij në këtë mes, pasi i la dorë të lirë.

Për mua personalisht, ishte e panevojshme për të afruar 11-futbollistë, duke pasur krejt lehtësisht mundësinë që ekipi të bëhej me djem Shkodre, por vendosën që t’i largojnë ata.

Futbollistë kampionë që vinin nga U-21 dhe U-19, por edhe nga ekipe të tjera, presidenti Xhaferi, drejtori Plori dhe ish-trajneri Memelli vendosën mos t’i mbanin, por sollën futbollistë nën nivel, me “doganë të paguar”. Gjithsesi, pavarësisht të gjithave, i urojmë suksese Vllaznisë, pasi të gjithë ne duam që ajo të shkojë aty ku i takon.