Pavarësisht emrave dhe historive që mbartin dy ekipet që përballen sot në “Arena e Demave”, Flamurtari i historisë elitare të futbollit shqiptar dhe Korabi modest, parashikimeve, buxheteve respektive, përbërjes etj, mendoj se kjo përballje do të jetë një sfidë midis të barabartëve, dhe që do të vendoset nga vetë protagonistët që do të luajnë në fushë.

Ekipet respektive vijnë në këtë përballje me të dhëna statistikore të ndryshme. Flamurtari me paraqitje më të mirë në kampionat teksa zuri vendin e tretë, duke mos mundur të kalojë direkt në superiore, dhe vetëm falë atij barazimi përballë Apolonisë dhe kësaj rënditje mundi të sigurojë një biletë për këtë gjysëm finalje, që të krijon një mundësi për superiore, për të shkuar në një ndeshje tjetër përballë ekipit që renditet i teti në klasifikim përfundimtar të superiores, që përcaktohet nesër.

Ndërsa Korabi, ndonëse në kampionat u rëndit pas Flamurtarit, arrin të sfidojë Tomorrin, brenda në fushën e këtij të fundit teksa fitoj takimin 0-1 dhe vjen në këtë përballje përballë Flamurtarit më i motivuar.

Vërtet Flamurtari është një skuadër me emër në futbollin shqiptar, dhe aktualisht ka një strukrurë të mirëorganizuar me element kualitative. Por në fushën e lojës nuk vendos emri dhe as individët e veçantë, por loja dhe kolektiviteti.

Nga ana tjetër Korabi edhe pse modest në emër dhe histori, këto dy-tri vitet e fundit ka treguar ego duke synuar superioren, që mbase ka ardhë momenti për ta realizuar një gjë të tillë. Është një skuadër agresive dhe e përpiktë në zbatimin e skemave tekniko-taktike, e përgatitur mirë fizikisht, e re në moshë por me eksperiencë në lojë, dhe mbi të gjitha një skuadër që luan futboll kolektiv. Dhe do të luaj pa emocione dhe i motivuar për të shkruar pse jo histori dhe jam i bindur se do të na dhurojë surpriza.

Ndërkohë që FSHF, për të mbyllur tymnajnë e paragjykimeve, i ka besuar gjykimin një arbitri me stemën e FIFA-s, si dhe do të aplikohet sistemi VAR.

Uroj që kjo ndeshje të na dhurojë spektakël dhe emocione dhe mbi gë gjitha të fitoj futbolli, dhe ajo skuadër që e meriton.
*Gazetar dhe komentator sportiv.
Mesditë, 28.05.2023